Kërcet dajaku pas mosmarrëveshjeve, pejani e sulmon fqinjën 27-vjeçare

Mosmarrëveshjet mes fqinjëve janë të shpeshta dhe motivet shpesh dalin të konflikte lidhur me hapësirat e përbashkëta që shfrytëzojnë apo edhe arsye të tjera. Incidente të tilla përcillen me sharje e ofendime ndaj njëri-tjetrit, e madje nuk janë të rralla rastet kur ato shpërthejnë edhe në përleshje, raporton Gazeta Sinjali.

Kështu ka ndodhur së fundmi në fshatin Brestovik të Pejës, ku një 27-vjeçare është sulmuar fizikisht nga fqinji i saj, për shkak të telasheve që kanë me njëri-tjetrin që një kohë.

Burimet nga Prokuroria kanë bërë me dije se rasti ndodhi në orët e mbrëmjes të së hënës, kur viktima kërkoi ndihmë, duke e denoncuar të dyshuarin 45-vjeçar, S.Z.,

Sipas informacioneve që ka Sinjali, bazuar në dëshminë e viktimës është kuptuar se fqinji i saj e ka rrahur keq, situatë kjo që i ka shkaktuar frikë dhe shqetësim të madh.

Si rezultat i denoncimit, Policia është vënë në lëvizje, me ç’rast i dyshuari është arrestuar dhe shoqëruar në stacion policor, ku ka dhënë deklaratën e tij në lidhje me rastin.

Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar ndalimin e tij për 48 orë dhe inicimin e rastit për veprën penale “Sulm”.

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë