Komuna e Drenasit gjatë vitit 2022 ka dhënë subvencione me vlerë 413,003.69 euro për lëmi të ndryshme

Bazuar në ligj dhe kompetenca e komunave për ndarjen e subvencioneve për kategori të ndryshme të qytetarëve të komunës, në Raportin e publikuar për Subvencionet e vitit 2022, del se Komuna e Drenasit gjatë vitit 2022 ka dhënë 413,003.69 euro subvencione për lëmi të ndryshme.
Zyra e Kryetarit ka subvencionuar qytetarët në shumën 6,436.20 euro me ç’rast janë përkrahur qytetarët me nevoja shëndetësore, Shoqata për mbrojtjen e të Drejtave të Grave, Shoqata e Veteranëve të UÇK-së, publikimin e librave, etj.
Drejtoria e Infrastrukturës Rrugore dhe punë Emergjente, duke u bazuar në dëmet e shkaktuara nga vërshimet, më 2022, ka subvencionuar 53 qytetarë të komunës së Drenasit me shuma të ndryshme, varësisht nga dëmet e pësuara.
Komuna po ashtu bën pagesën edhe për shpenzimet e varrimit për qytetarët, të cilat janë pjesë e kësaj shume. Shuma e tërësishme si subvencion nga ana e kësaj Drejtorie është 82,750.96 euro.
Drejtoria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural – ka subvencionuar qytetaret në bashkëpunim me organizatën Islamic Reliev për hapjen e 27 puseve për familjet me gjendje të vështirë ekonomike dhe disa shkolla, me vlerë 28,000.00 euro dhe ka subvencionuar bujqit për ujitje të tokave bujqësore në shumë prej 22,000.00 euro ku shuma totale e subvencioneve për këtë drejtori është 50,000.00 euro.
Drejtoria e zhvillimit Ekonomik ka subvencionuar 12 biznese të udhëhequra nga gratë dhe dy biznese të udhëhequra nga burrat, shuma e subvencioneve për vitin 2022 nga kjo Drejtori është 23,000.00 euro.
Drejtoria për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale ka subvencionuar qytetarët me gjendje të vështirë ekonomike dhe i ka përkrahur me miell, pako ushqimore, gjithsejt 62 familje si dhe përkrahja për trajtim shëndetësor me vlerë të përgjithshme 24,170.00 euro.
Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport, ka subvencionuar OJQ të Kulturës, Artit, Sportit, etj. dhe shkrimtarë të komunës së Drenasit ku shuma e tërësishme e subvencioneve është 127,796.63 euro.
Drejtoria e Arsimit, ka subvencionuar 198 studentë dhe nxënës të dalluar të komunës së Drenasit, me vlerë prej 98,849.90 euro.
Nga Raporti i Subvencioneve del se shuma e përgjithshme për kategorinë e subvencioneve, për vitin 2022, nga komuna e Drenasit është 413,003.69 euro.
Komuna, nëpërmjet thirrjeve publike dhe njoftimeve, bën të ditur afatet për aplikim pranë drejtorive përkatëse për nevojat e subvencionimit.
Të gjitha subvencionet gjendet në Raportin e publikuar për Subvencionet, në ueb faqen e komunës dhe është plotësisht transparente.
Komuna e Drenasit falënderon të gjithë qytetarët për bashkëpunim dhe si çdo herë, qëndron pranë nevojave të qytetarëve të vet, me mundësitë dhe kapacitetin ligjor që disponon.