Lladrovci pret në takim ekspertin e BE-së për mbështetje të arsimit para universitar

Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci së bashku me nënkryetarin Arben Shala dhe Drejtorin e Arsimit, Muhamet Gjoka, kanë pritur në takim ekspertin e projektit të financuar nga BE-ja për mbështetjen e arsimit para universitar në Kosovë.
Kryetari Lladrovci ka falënderuar Robert Blease për përkrahjen dhe ka siguruar se përkushtimi i komunës mbetet që cilësinë në arsim të përmirësojnë dhe zhvillojnë vazhdimisht.
Robert Blease, ka njoftuar kryetarin Lladrovci për ecurinë e projektit në komunën e Drenasit, ku ka vlerësuar lartë angazhimin e ekipeve të caktuara në këtë projekt. Ai shtoi se me kapacitetet e tërësishme të personelit dhe infrastrukturës që kanë shkollat, Drenasi do të jetë model për zhvillimin e arsimit në nivel vendi.
Ky projekt i mbështetur nga Ministria e Arsimit, ka për qëllim përmirësimin dhe zhvillimin profesional të mësimdhënësve dhe sigurimin e cilësisë së arsimit në Kosovë.