Plagosja në Shtërpcë, barrikadimi i rrugës nga serbët lokalë dhe ndërhyrja e Policisë – krejt çka dihet deri tani

Dy të rinj serbë janë plagosur pasditen e djeshme me armë zjarri në Shtërpcë. Për këtë akt është arrestuar një i dyshuar. Pas plagosjes, serbët janë mbledhur në Gotovushë dhe e kanë bllokuar rrugën Shtërpcë-Ferizaj. Pas intervenimit, Policia e Kosovës ka konfirmuar për Sinjalin se rruga është liruar pa incidente.

Në lidhje me rastin, Policia e Kosovës ka bërë të ditur se është arrestuar një person i moshës 33-vjeçare dhe se të njëjtit i është konfiskuar edhe arma me të cilën dyshohet se e ka kryer veprën.

Ndërsa, dy të plagosurit 11 dhe 21 vjeçar janë operuar dhe se të dy janë jashtë rrezikut për jetë.

Politikanët në Kosovë kanë bërë thirrje për ruajtje të qetësisë dhe kanë kërkuar nga organet e drejtësisë ta zbardhin rastin e dy personave të plagosur.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka kërkuar nga organet e drejtësisë ta trajtojnë me urgjencë rastin e dy personave që u plagosen mesditën e së premtes në Shtërpcë. Osmani e ka konsideruar si akt të patolerueshëm plagosjen e dy serbëve në Shtërpcë, ndërsa ka thënë se autori duhet të vihet para drejtësisë.

“Institucionet e Kosovës janë të përkushtuara maksimalisht që qytetarëve pa dallim etnie t`u ofrohet ambient i sigurt dhe i qetë. Të plagosurve ju dëshiroj shërim të shpejtë, ndërkaq ftoj organet e sigurisë që rastin ta trajtojnë urgjentisht e sipas ligjit”, thuhet në reagimin e Presidencës.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ka dënuar plagosjen e dy qytetarëve në Shtërpcë mesditën e së premten, duke thënë se i dyshuari do të përballet me organet e drejtësisë. Kurti u ka uruar shërim të shpejtë dy të plagosurve, derisa ka theksuar se hetimet do të vazhdojnë deri në zbardhjen e plotë të rastit.

“E dënoj ashpër sulmin ndaj dy qytetarëve të Kosovës në Shtërpcë. Thellësisht i brengosur për plagosjen e tyre. Sipas informatave, të rinjtë 11 dhe 21 vjeçar janë jashtë rrezikut për jetë dhe ju dëshiroj shërim të shpejtë. Policia e Kosovës veçse ka arrestuar të dyshuarin i cili pa asnjë mëdyshje duhet dhe do të përballet me organet e drejtësisë. Njësitet relevante do të vazhdojnë hetimet deri në zbardhjen e të gjitha rrethanave të këtij akti të papranueshëm dhe të dënueshëm”, ka shkruar Kurti.

Kreu i Qeverisë ka siguruar qytetarët se Policia e Kosovës është e angazhuar maksimalisht në kryerjen e detyrave të saj me qëllim të mbrojtjes së jetës dhe pronës së të gjithëve pa dallim.

I menjëhershëm ka qenë reagimi i ministrit të Mbrojtjes, Armend Mehaj i cili tha se personi i përfshirë në plagosjen e dy të rinjve është pjesëtarë i FSK-së.

Ndërsa Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla tha se sulmi ndaj tyre është i papranueshëm dhe do të dënohet në masën e plotë të ligjit.

Ai theksoi se Policia ka ndërmarrë veprime të shpejta dhe ka arrestuar autorin.

“Sulmi ndaj 2 qytetarëve të Kosovës në Shtërpcë është i papranueshëm dhe do të dënohet në masën e plotë të ligjit. Policia e Kosovës ka ndërmarrë veprime të shpejta dhe ka arrestuar autorin. Ne jemi të përkushtuar që të ruajmë sundimin e ligjit në të gjitha pjesët e Kosovës”, ka shkruar Sveçla në Twitter.

Reagime pati edhe nga faktorët ndërkombëtarë.

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë