Inaugurohet objekti i masave të eficiencës së energjisë në SHFMU “Jusuf Gërvalla” në Negroc të Drenasit
Nënkryetari i Komunës së Drenasit, Arben Shala me bashkëpunëtorë, me drejtorin menaxhues të Fondit Kosovar të Eficiencës së Energjisë, Ahmet Ismaili si dhe përfaqësues të Ministrisë së Ekonomisë, kanë marrë pjesë në inaugurimin e objektit për zbatimin e masave të eficiencës së energjisë në SHFMU “Jusuf Gërvalla” në Negroc të Drenasit, projekt ky i financuar nëpërmjet fondeve të Bankës Botërore, Bashkimit Evropian dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës.
Komuna e Drenasit ishte përfituese e pesë projekteve nëpër shkolla, katër prej së cilave janë implementuar dhe një palestër ka mbetur vitin e ardhshëm të zbatohet projekti i masave të eficiencës.
Drejtori menaxhues i Fondit Kosovar të Eficiencës së Energjisë, Ahmet Ismaili, në një fjalë përshëndetëse njoftoi të pranishmit lidhur me projektet që kanë përfunduar, rëndësinë e tyre si dhe projektet që janë në pritje për tu implementuar. Zotëri Ismaili njoftoi po ashtu edhe vazhdimësinë e projektit nëpër shkolla të tjera në Komunën e Drenasit që më pastaj ky projekt do të kalojë së implementuari edhe në objektet tjera institucionale në Komunat e Kosovës.
Vlera e pesë projekteve është 500 mijë euro, ndërsa në këtë shkollë vlera është 101.984 euro, ku përfshihen izolimi i ndërtesës, izolimi i kulmit, vendosja e dritareve të reja me xhamëzim adekuat, vendosja e komplet trupave ndriçues me eficiencë të lartë, vendosja e kaldajës me pelet me koeficient të shfrytëzimit mbi 95%, etj.
Nënkryetari Shala falënderoi donatorët duke theksuar rëndësinë e madhe të këtyre investimeve në eficiencën e energjisë, tashmë kur kemi më së shumti nevojë.
Komuna e Drenasit mbetet e përkushtuar në ofrimin e kushteve të nevojshme nëpër shkollat dhe objektet tjera që janë në shërbim të qytetarëve të Komunës sonë, sidomos në arritjen e përfitimit të fondeve sikurse ky i masave të eficiencës së energjisë që kapin vlerë prej qindra mijëra eurove investime direkte, duke i kontribuuar cilësisë së arsimit.