Ndodhë në Ferizaj/ Hajnat i shkojnë një gruaje të shtëpia për t’i dërguar “dhuratë për fundvit”, tentojnë ta grabisin

Grabitjet dhe vjedhjet e shpeshta nëpër shtëpi janë bërë një fenomen tejet shqetësues për qytetarët e Kosovës që po shkaktojnë ankth e pasiguri të madhe. Raste të tilla po raportohen pothuajse çdo ditë në Policinë e Kosovës nga familjet që po mbesin ‘qyl’, shkruan Gazeta Sinjali.

Burimet brenda Prokurorisë kanë bërë me dije për Sinjalin se një rast i tentim grabitjes ka ndodhur sot në mesditë, në rrugën “Bajram Gursel Sylejmani” në Ferizaj dhe është denoncuar nga pronarja e një shtëpie. 

Viktima është përballur me hajnin që i shkoi te shtëpia, gjoja se për t’i dërguar disa mjete për kuzhinë si dhuratë. Posa gruaja doli në oborr, i dyshuari fillimisht e kishte pyetur për gjësende me vlerë e ma pas ka tentuar t’ia marrë unazat nga dora.

Bazuar në dëshminë e viktimës të dhënë para hetuesve policorë hajni ishte i shoqëruar me një person tjetër, që po e priste te dera për ta kryer ‘punën’. Gruaja arriti ta largojë hajnin nga oborri duke i thënë se shtëpia është nën vëzhgimin e kamerave, çka e shtyri atë që t’ia mbath.

E shqetësuar jashtëzakonisht për rastin që i ndodhi, viktima ka kërkuar ndihmën e Policisë. Me t’u denoncuar rasti, njësitë policore kanë dalë në vendin e ngjarjes ku kanë kryer ekzaminimet e nevojshme që ndihmojnë në zbardhjen e rrethanave të rastit.

Me urdhër të prokurorit, rasti është iniciuar ‘tentim grabitje”, ndërsa veprimet tjera ligjore do merren posa të kapet personi që dyshohet se ka kryer veprën.

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë