Isak Neziri për Sahit Jasharin: Liria ka emër

Kandidati për deputet nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Isak Neziri, ka reaguar pas ndarjes nga jeta të luftëtarit të UÇK-së, Sahit Jashari, duke e cilësuar atë si një nga bijtë e papërsëritshëm të kombit shqiptar dhe një prej figurave të para të rezistencës për liri.

Në një mesazh ngushëllimi, Neziri ka thënë se humbja e Sahit Jasharit në prag të përvjetorit të çlirimit të Kosovës është një dhimbje e madhe, por njëkohësisht edhe një kujtesë e fortë për sakrificën e brezit që solli lirinë.

“Humbja e një luftëtari të lirisë në prag të përvjetorit të çlirimit të Kosovës është jo vetëm e dhimbshme, e ftohtë por edhe me një mesazh që lë pas për ne të gjallët. Sahiti me shokë janë bijtë e papërsëritshëm të këtij shekulli shqiptar”, ka shkruar Neziri.

Ai ka vlerësuar lart rolin e Sahit Jasharit si një nga pjesëmarrësit e aksioneve të para çlirimtare dhe bashkëluftëtar i Komandantit Legjendar, Adem Jashari.

“Sahit Jashari, shqiptari i aksioneve të para, bashkëluftëtari i Adem Jasharit, iku pa shumë zhurmë nga kjo botë, por la pas vetes një trashëgimi të fuqishme që do të trashëgohet brez pas brezi”, është shprehur ai.

Në fund, Neziri u ka shprehur ngushëllime familjes Jashari, bashkëluftëtarëve dhe mbarë popullit shqiptar, duke përmbyllur mesazhin me fjalët: “Liria ka emër: Sahit Jashari!”.

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë