Ferat Shala për Sahit Jasharin: Sot përulemi para një jete të tërë në shërbim të lirisë
Ish-deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Ferat Shala, ka shprehur dhimbjen e tij për ndarjen nga jeta të komandantit të UÇK-së, Sahit Jashari, duke e cilësuar atë si një nga figurat më të respektuara të luftës çlirimtare dhe të historisë së Kosovës.
Në një mesazh emocional, Shala ka thënë se Sahit Jashari nuk do të vdesë kurrë në kujtesën e popullit, pasi jeta dhe vepra e tij do të mbeten përgjithmonë pjesë e historisë së lirisë.
“Sahit Jashari nuk vdes. Ai shkoi… Shkoi komandanti. Shkoi çlirimtari. Shkoi familjari. Shkoi burri që jetoi me nder, me besë dhe me përkushtim të pashoq ndaj atdheut”, ka shkruar Shala.
Ai ka kujtuar rrugëtimin jetësor të Sahit Jasharit, duke theksuar se ai përmbushi me dinjitet çdo detyrë ndaj atdheut, kombit dhe lirisë, ndërsa tani, sipas tij, i bashkohet familjarëve dhe bashkëluftëtarëve të përjetësisë.
“Sot nuk përcjellim një njeri të zakonshëm. Sot përulemi para një jete të tërë të vënë në shërbim të lirisë, atdheut dhe idealeve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, ka theksuar ai.
Në fund të mesazhit, Ferat Shala ka nderuar jetën dhe veprën e komandantit Sahit Jashari, duke shprehur respektin e tij të thellë për kontributin që ai dha për Kosovën.
“Lavdi jetës dhe veprës së Sahit Jasharit! Qoftë i përjetshëm kujtimi i tij! Të kemi lakmi, o shpirt i UÇK-së. U prehsh në paqe pranë shokëve të idealit dhe pranë dëshmorëve të lirisë”, ka përfunduar Shala.


