Demaku për Sahit Jasharin: U largua fizikisht, por jo nga kujtesa jonë
Kandidati për deputet nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Fadil Demaku, ka shprehur pikëllimin e tij për ndarjen nga jeta të luftëtarit të UÇK-së, Sahit Jashari.
Përmes një mesazhi ngushëllimi, Demaku e ka vlerësuar Sahit Jasharin si një nga figurat e brezit më të lavdishëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke theksuar kontributin e tij në rrugën për liri dhe pavarësi.
“Sot u nda nga jeta luftëtari i madh i UÇK-së, Sahit Jashari. Ai u largua fizikisht, por do të mbetet përjetësisht pjesë e historisë së Kosovës dhe e brezit më të lavdishëm të UÇK-së, si bashkëluftëtar i Adem Jasharit”, ka shkruar Demaku.
Ai ka shtuar se Sahit Jashari ishte ndër ata burra që nuk maten me vitet që jetuan, por me veprat dhe gjurmët që lanë pas, duke lënë trashëgimi të çmuar për brezat e ardhshëm.
Demaku ka shprehur ngushëllimet e tij më të sinqerta për familjen Jashari, ndërsa ka nderuar kujtimin e të ndjerit me fjalët: “Prehu në paqe, luftëtar i lirisë!”

