Bekim Jashari ngushëllon për vdekjen e Sahit Jasharit: Do të kujtohet gjithmonë për guximin dhe besnikërinë ndaj atdheut

Ish-kryetari i Komunës së Skenderajt, Bekim Jashari, ka shprehur dhimbjen e tij për ndarjen nga jeta të Sahit Jasharit, duke e kujtuar atë si një luftëtar të përkushtuar dhe bashkëluftëtar të orëve të para të Komandantit Legjendar, Adem Jashari.

Përmes një mesazhi ngushëllimi, Bekim Jashari ka vlerësuar lart figurën dhe kontributin e Sahit Jasharit, duke theksuar se ai do të mbetet përgjithmonë në kujtesën e familjes, bashkëluftëtarëve dhe qytetarëve të Kosovës.

“Me dhimbje të madhe mora lajmin për ndarjen nga jeta të kushëririt tonë, Sahit Jashari, bashkëluftëtarit të orëve të para të axhës tim, Adem Jashari. Sahit Jashari do të kujtohet gjithmonë për përkushtimin, guximin dhe besnikërinë ndaj atdheut”, ka shkruar Jashari.

Ai ka theksuar se Sahit Jashari ishte ndër ata burra që në momentet më të vështira zgjodhën dinjitetin dhe sakrificën, duke lënë pas një emër të respektuar dhe një trashëgimi të çmuar për brezat që vijnë.

“Sot po ndahemi nga një njeri që la gjurmë të pashlyeshme në rrugëtimin tonë për liri. Ai lë pas një kujtim të paharruar dhe një emër që do të nderohet gjithmonë”, ka theksuar ish-kryetari i Skenderajt.

Në fund të mesazhit të tij, Bekim Jashari ka shprehur ngushëllimet më të sinqerta për familjen, të afërmit dhe bashkëluftëtarët e të ndjerit.

“Qoftë i përhershëm kujtimi për të dhe i lehtë i qoftë dheu i Kosovës. Pushofsh në paqe, Sahit Jashari”, ka përfunduar ai.

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë