KRU “Prishtina” tregon arsyet e reduktimeve të ujit në Drenas

Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina” (KRUP) ka njoftuar qytetarët e Drenasit se furnizimi jo i rregullt me ujë gjatë javëve të fundit është shkaktuar kryesisht nga niveli i ulët i ujit në kanalin e Ibër-Lepencit, gjendje që po krijon vështirësi të vazhdueshme në sigurimin e sasive të nevojshme për konsumatorët.

Sipas njoftimit, problem shtesë paraqet edhe infrastruktura e sistemit të pompave, e cila aktualisht mirëmbahet nga Ferronikeli dhe ndodhet në gjendje të rënduar teknike, duke ndikuar drejtpërdrejt në kapacitetet dhe sigurinë e furnizimit me ujë.

KRUP ka bërë të ditur se, për shkak të gjendjes emergjente të sistemit të pompimit, ka planifikuar rehabilitimin e njërës prej pompave kryesore. Kompania njofton se aktualisht ndodhet në fazën e nënshkrimit të kontratës me operatorin ekonomik që do të realizojë projektin, ndërsa pas përfundimit të punimeve pritet rritje e kapaciteteve pompuese dhe përmirësim i dukshëm i furnizimit me ujë.

Po ashtu, në kuadër të një marrëveshjeje të re që është në proces finalizimi, mirëmbajtja e sistemit të pompimit pritet të kalojë nga Ferronikeli te KRU “Prishtina”. Sipas kompanisë, ky ndryshim do të mundësojë menaxhim më efikas të sistemit, reagim më të shpejtë ndaj defekteve dhe investime më të mirëplanifikuara në infrastrukturë.

Ndërkohë, janë realizuar investime edhe në funksionalizimin e pompave në Drenas, në lokacionin Xhem Qorri – te Xhamia, të cilat tashmë furnizojnë me ujë lagjen Poklek i Ri dhe Korreticën e Epërme, duke përmirësuar ndjeshëm shërbimin për banorët e këtyre zonave.

KRU “Prishtina” ka kërkuar mirëkuptimin e qytetarëve, duke theksuar se mbetet e përkushtuar për stabilizimin e furnizimit me ujë dhe se për çdo zhvillim të ri konsumatorët do të njoftohen me kohë.

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë