Besimi për bashkëluftëtarin e Adem Jasharit: Jakup Nura mes më të votuarve të PDK-së
Kandidati i PDK-së për deputet, Jakup Nura, po vazhdon të shënojë rezultat të lartë në zgjedhjet parlamentare, duke u renditur ndër emrat më të votuar të Partisë Demokratike të Kosovës, shkruan DrenicaOnline.
Sipas rezultateve aktuale, me rreth 57% të votave të numëruara në nivel vendi, Nura ka siguruar 12,903 vota, rezultat që e mban në garë serioze për të siguruar një mandat në Kuvendin e Kosovës.
Ish-bashkëluftëtari i komandantit legjendar Adem Jashari dhe një nga figurat e njohura që vjen nga Prelloci i Skenderajt, Nura ka arritur të fitojë mbështetje të gjerë nga qytetarët në mbarë Kosovën. Megjithatë, baza e tij kryesore mbetet Skenderaji, ku tradicionalisht gëzon përkrahje të madhe.
Jakup Nura njihet për angazhimin e tij politik, profesionalizmin dhe qëndrimet e vendosura në institucionet e vendit. Përvoja e tij në jetën publike dhe kontributi i dhënë ndër vite vazhdojnë ta bëjnë një prej figurave më të respektuara brenda PDK-së.
Me ritmin aktual të numërimit, Nura shihet si një nga kandidatët më të favorizuar për të siguruar ulëse në legjislaturën e re të Kuvendit të Kosovës. Ai renditet i 12-ti në listë ndërsa PDK aktualisht ka të siguruara 24 mandate./DrenicaOnline/

