Kriza e ujit në Drenas thellohet, mijëra qytetarë mbesin pa furnizim

Komuna e Drenasit shpreh shqetësimin e thellë për mungesën e vazhdueshme të furnizimit me ujë të pijshëm në shumë vendbanime të komunës, ku mijëra qytetarë tash e disa ditë, e në disa raste edhe më shumë se një javë, po përballen me mungesë të plotë të ujit.

Përkundër kërkesave dhe komunikimeve të vazhdueshme zyrtare me Kompaninë Rajonale të Ujësjellësit “Prishtina”, situata mbetet e papranueshme dhe po shkakton vështirësi të mëdha për familjet, institucionet dhe bizneset.

Nënkryetari i Komunës së Drenasit, Arben Shala, në vazhdën e komunikimeve të përditshme me Kryeshefin Ekzekutiv të KRU “Prishtina”, ka kërkuar ndërhyrje urgjente dhe plan konkret për rikthimin e furnizimit të rregullt me ujë për qytetarët e Drenasit.

Komuna e Drenasit e konsideron të papranueshme që qytetarët të mbesin pa një shërbim jetik për periudha kaq të gjata, duke u ekspozuar ndaj vështirësive të shumta dhe rreziqeve potenciale për shëndetin publik.

Njëkohësisht, Komuna rikujton se furnizimi me ujë të pijshëm nuk është kompetencë e Komunës së Drenasit, por përgjegjësi ligjore dhe operative e Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit “Prishtina”.

Megjithatë, pavarësisht se nuk ka mandat për menaxhimin e këtij shërbimi, Komuna po përballet çdo ditë me ankesa të shumta të qytetarëve dhe po angazhohet vazhdimisht për të kërkuar zgjidhje nga institucionet përgjegjëse.

Komuna e Drenasit ka dëshmuar gatishmëri të vazhdueshme për bashkëpunim dhe ka investuar mjete të konsiderueshme në projekte infrastrukturore që lidhen me rrjetin e ujësjellësit, gjithmonë në interes të qytetarëve. Përkundër kësaj, gjendja aktuale nuk ka shënuar përmirësim të mjaftueshëm.

Nëse kjo situatë vazhdon dhe nuk ndërmerren masa konkrete për përmirësimin e furnizimit me ujë, Komuna e Drenasit do të shqyrtojë të gjitha mundësitë ligjore në dispozicion, përfshirë inicimin e procedurave përkatëse ndaj operatorit përgjegjës, me qëllim mbrojtjen e interesit publik dhe të drejtave të qytetarëve të saj.

Komuna e Drenasit do të vazhdojë të kërkojë përgjegjësi institucionale dhe veprime konkrete deri në normalizimin e plotë të furnizimit me ujë në të gjitha zonat e komunës.

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë