Nga Skenderaj në botë: “Leotrimi i Vogël” bëhet zëri i përjetshëm i fëmijëve të Kosovës

Nga sheshi i Skenderajt, “Leotrimi i Vogël” po nis një udhëtim të ri përtej kufijve të atdheut, duke trokitur në dyert e botës me historinë e tij të dhimbshme dhe frymëzuese.

Engjëlli i lirisë tashmë fluturon më larg se kurrë, duke përcjellë emrin e Kosovës, kujtesën e sakrificës dhe historinë e fëmijëve të pafajshëm që u bënë viktima të luftës. I përjetësuar në bronz, ai mbetet i gjallë në ndërgjegjen tonë kolektive, përjetësisht në kujtesë, përjetësisht në udhëtim.

Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Fëmijëve Viktima të Pafajshëm të Agresionit, Posta e Kosovës ka vënë në qarkullim emisionin filatelik “Engjëjt e Lirisë – shtatorja ‘Leotrimi i Vogël’”.

Kjo ditë shërben si një kujtesë globale për vuajtjet e fëmijëve të prekur nga luftërat dhe konfliktet e armatosura. Në këtë frymë, emisioni filatelik i kushtohet kujtimit të fëmijëve që humbën jetën gjatë luftës në Kosovë, duke nderuar pafajësinë e tyre të ndërprerë dhe duke rikujtuar detyrimin tonë për të ruajtur të vërtetën historike.

Përmes këtij emisioni, kujtesa e tyre tejkalon kufijtë gjeografikë dhe kohorë, duke përcjellë një mesazh universal për paqe, dinjitet njerëzor dhe mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve kudo në botë.

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë