Gjashtë vjet nga viktima e parë si pasojë e COVID-19 në Kosovë

Sot mbushen gjashtë vjet që kur në Kosovë u regjistrua personi i parë që ndërroi jetë si pasojë e sëmundjes infektuese koronavirus.

Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik kishte njoftuar se bëhej fjalë për një pacient 82-vjeç nga Dumnica e Podujevës.

“Pacienti i lindur më 1938, fshati Dumnicë, Komuna e Podujevës, është pranuar në Klinikën Infektive më 16.03.2020, në ditën e 6 të sëmundjes me shenja të infiltrimit pulmonar dhe pneumonisë masive majtas. Pacienti ka pasur edhe sëmundje shoqëruese kronike: kardiake dhe sëmundje kronike mushkërore”, thuhej në njoftim.

Ndryshe, dy rastet e para pozitive me koronavirus në Kosovë u regjistruan në mars 2020, ndërsa ky numër kishte arritur në 82.185, prej tyre 68.083 të shëruar dhe 1.760 pacientë kanë humbur betejën me sëmundjen infektuese.

Prania e koronavirusit të ri për herë të parë u konfirmua në fund të dhjetorit  2019 në Kinë dhe më pas u përhap edhe në pjesë të tjera të botës, duke shtyrë kështu Organizatën Botërore të Shëndetësisë që të shpallë gjendjen e pandemisë, e cila vazhdon edhe sot në të gjithë botën pavarësisht fillimit të vaksinimit./KosovaPress

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë