Një shtetase italiane pranon Islamin në Drenas, ceremonia zhvillohet në KBI
Këshilli i Bashkësisë Islame në Drenas ka njoftuar për një ngjarje të veçantë të zhvilluar në natën e Fitër Bajramit, ku një shtetase italiane ka pranuar fenë islame.
Sipas njoftimit, ceremonia është mbajtur në selinë e KBI-së në Drenas, në një atmosferë emocionale dhe solemne. Bëhet fjalë për znj. Rebeka, me nacionalitet italian, e cila është e martuar me Durim Adem Kukajn nga fshati Tërstenik i Drenasit.
Ceremoninë e udhëhoqi kryeimami i KBI Drenas, Shpëtim Avdyli, në praninë e familjarëve të bashkëshortit dhe fëmijëve të tyre.
Znj. Rebeka, e cila jeton në Venecia të Italisë, me vullnet të lirë dhe bindje të plotë, shqiptoi shahadetin dhe përqafoi Islamin.
Sipas njoftimit, ajo ka theksuar se familja e shëndoshë, vlerat islame dhe virtytet e bashkëshortit të saj kanë qenë ndër arsyet kryesore që e kanë shtyrë drejt këtij vendimi.
Në fund, KBI Drenas ka uruar që kjo familje të ketë mirësi, paqe dhe begati.


