Ky është hajni që vodhi 147 euro dhe cigare në ETC në Komoran – tentoi t’i shpëtonte Policisë duke u fshehur në lum
Sinjali ka siguruar ekskluzivisht emrin e hajnit që u kap pas një vjedhjeje të rëndë në Komoran të Drenasit, ku cak i hajnave ishte marketi “ETC”.
Rasti ndodhi në orët e para të mëngjesit, rreth orës 05:00, ndërsa njësitë policore kanë reaguar menjëherë duke dalë në vendin e ngjarjes. Gjatë kontrollit në zonë, policët dëgjuan zhurma në objektin ngjitur – restorantin “Jaffa”, ku vunë re një person të dyshuar duke u larguar me shpejtësi.
Pas ndjekjes, i dyshuari është lokalizuar dhe arrestuar rreth 100 metra larg, në afërsi të gypave të një lumi, ku ishte futur në ujë në tentativë për t’i shpëtuar Policisë.
Sinjali merr vesh ekskluzivisht se i dyshuari është Shaqir Kuqi rreth 34-vjeçar, i cili dyshohet se kishte depërtuar me forcë në market, duke thyer derën me një mjet druri, dhe kishte arritur të marrë para të imta në vlerë prej 147 euro si dhe disa paketime cigare.
Gjatë tentativës për arratisje, ai është rrëzuar dhe ka pësuar lëndime, për çka ka marrë trajtim mjekësor, ndërsa në momentin e arrestimit nuk i janë gjetur sende të dyshimta.
Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë hetimore të Stacionit Policor në Drenas, ndërsa me rekomandim të Prokurorit kujdestar, rasti është iniciuar si “Vjedhje e rëndë” dhe i dyshuari është dërguar në ndalim për 48 orë.
Hetimet lidhur me rastin janë në vazhdim.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.


