Kapet në flagrancë duke vjedhur çokollata në “Viva Fresh Store”, arrestohet i dyshuari
Një rast vjedhjeje është regjistruar gjatë ditës së djeshme në Prishtinë, ku një person është kapur në flagrancë duke vjedhur produkte ushqimore në një market.
Ngjarja ka ndodhur më 18 mars 2026, rreth orës 13:00, në rrugën “27 Nëntori”, ku i dyshuariështë ndaluar nga stafi i marketit “Viva Fresh Store” teksa po tentonte të largohej me produkte të papaguara të markës “Milka”, në vlerë rreth 76 euro.
Hetimet kanë zbuluar se i njëjti person dyshohet se edhe dy ditë më parë, më 16 mars, kishte kryer një tjetër vjedhje në një market tjetër të të njëjtit rrjet në rrugën “Bajram Bahtiri”, duke marrë produkte “Toffife” në vlerë prej 56 euro.
Rasti është trajtuar nga organet kompetente, ndërsa me urdhër të prokurorit kujdestar është iniciuar procedurë për veprën penale “Vjedhje”.
I dyshuari është dërguar në ndalim për 48 orë, ndërkohë që hetimet lidhur me rastin janë në vazhdim.

