Kapet hajni që vodhi në ETC në Komoran, u fsheh në lum për t’i shpëtuar Policisë
Një vjedhje e rëndë ka ndodhur në orët e para të mëngjesit në Komoran të Drenasit, ku cak i hajnave ishte marketi “ETC”.
Rasti është raportuar rreth orës 05:00, ndërsa njësitë policore kanë reaguar menjëherë duke dalë në vendin e ngjarjes. Gjatë kontrollit në zonë, policët kanë dëgjuar zhurma në objektin ngjitur – restorantin “Jaffa”, ku kanë vërejtur një person të dyshuar duke u larguar me shpejtësi.
Pas ndjekjes, i dyshuari është lokalizuar dhe arrestuar rreth 100 metra larg, në afërsi të gypave të një lumi, ku ishte futur në ujë në tentativë për t’i shpëtuar Policisë.
I dyshuari, Sh.K., dyshohet se kishte depërtuar me forcë në market, duke thyer derën me një mjet druri, dhe kishte arritur të marrë para të imta në vlerë prej 147 euro si dhe disa paketime cigare.
Gjatë tentativës për arratisje, ai është rrëzuar dhe ka pësuar lëndime, për çka ka marrë trajtim mjekësor, ndërsa në momentin e arrestimit nuk i janë gjetur sende të dyshimta.
Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë hetimore të Stacionit Policor në Drenas, ndërsa me rekomandim të Prokurorit kujdestar, rasti është iniciuar si “Vjedhje e rëndë” dhe i dyshuari është dërguar në ndalim për 48 orë.
Hetimet lidhur me rastin janë në vazhdim.


