Abelard Tahiri viziton Hashim Thaçin në Hagë: E gjeta të fortë dhe krenar
Ish-shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, ka bërë të ditur se ka zhvilluar një vizitë në Hagë, ku është takuar me ish-Presidentin Hashim Thaçi, transmeton portali DrenicaOnline.
Tahiri ka theksuar se vizitat e tij gjatë këtyre viteve kanë qenë të shpeshta dhe të mbushura me emocione të forta, që nga koha kur Thaçi dhe bashkëluftëtarët e tij ndodhen në paraburgim.
“Sot, në Hagë, e takova Presidentin po aq të fortë sa në çdo vizitë tjetër. Ai po e përballon këtë padrejtësi me një ndjenjë të thellë krenarie”, ka deklaruar Tahiri.
Sipas tij, kjo krenari buron nga lufta për liri dhe vazhdon të mbajë gjallë shpirtin e popullit të Kosovës.
Tahiri ka vlerësuar lartë edhe qëndrueshmërinë e Thaçit dhe të tjerëve që po përballen me procesin gjyqësor në Hagë, duke i quajtur ata “shtylla të palëkundura mbi të cilat qëndrojnë fort shteti dhe liria jonë”.
Në fund, ai ka shprehur shpresën që kjo të ketë qenë vizita e tij e fundit në Hagë dhe që së shpejti të takohen në liri, në Kosovë.
“Presidenti ju dërgon të fala nga Haga”, ka përfunduar Tahiri./DrenicaOnline/


