Zeqir Hasi kërkon ushtrues detyre për degën e PDK-së në Drenas: Pa unitet nuk rritet numri i deputetëve

Asambleisti i Partisë Demokratike të Kosovës në Drenas, Zeqir Hasi, ka kërkuar që para zgjedhjeve të ardhshme të caktohet një ushtrues detyre i kryetarit të degës së PDK-së në Drenas, me qëllim unifikimin e strukturës dhe përgatitjen më të mirë për procesin zgjedhor, transmeton portali DrenicaOnline.

Hasi ka theksuar se vendi po shkon drejt zgjedhjeve dhe sipas tij, PDK-ja nuk duhet të hyjë në këtë garë me të njëjtat probleme që kishte në zgjedhjet e 28 dhjetorit 2025 në komunën e Drenasit.

Ai ka bërë të ditur se në ato zgjedhje kishte qenë shef i shtabit zgjedhor në Drenas, duke theksuar se votat e PDK-së u ruajtën, por gjatë fushatës kishte vërejtur vështirësi të mëdha organizative si pasojë e përçarjeve brenda degës.

Sipas Hasit, është e domosdoshme që kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, të marrë vendime me kohë dhe të caktojë një ushtrues detyre të kryetarit të degës që do të bashkojë strukturën dhe do ta unifikojë Drenasin rreth partisë dhe kandidatëve për deputetë.

Ai theksoi se Drenasi ka shumë njerëz me integritet dhe përkushtim ndaj PDK-së që janë të aftë të marrin këtë përgjegjësi dhe të rikthejnë unitetin brenda degës.

“Është koha të mendohet për partinë dhe jo për egot personale. Qytetarët e Drenasit nuk i kanë borxh askujt që për shkak të ambicieve individuale të vazhdojë ndarja dhe përçarja brenda degës”, ka deklaruar Hasi.

Në fund, ai ka theksuar se nëse nuk ka reflektim, atëherë nuk do të rritet as numri i deputetëve nga Drenasi në Kuvendin e Kosovës, duke shtuar se vendimet e qarta dhe në kohë janë të domosdoshme për të hyrë sa më të përgatitur në zgjedhjet që po afrohen./DrenicaOnline/

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë