Ish-presidentja e Kosovës sonte ishte për iftar në Drenas

Ish-presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, ka qëndruar sonte në Drenas ku mori pjesë në një iftar të organizuar nga gratë e Qendrës për Promovimin e të Drejtave të Grave, transmeton DrenicaOnline.

Jahjaga bëri të ditur se vizita në Drenas u zhvillua së bashku me ambasadorin gjerman në Kosovë, Jörn Rohde. Ata u pritën nga drejtoresha e qendrës, Kadire Tahiraj, stafi i saj si dhe gratë që janë pjesë e kësaj organizate.

Gjatë takimit, ish-presidentja tha se pati mundësinë të dëgjojë nga afër për punën e palodhshme që kjo organizatë bën çdo ditë për të mbështetur të mbijetuarit, veçanërisht gratë, për të promovuar të drejtat e tyre dhe për të fuqizuar rolin e tyre në shoqëri.

Sipas saj, përmes shërbimeve, këshillimit dhe aktiviteteve të ndryshme, stafi i qendrës krijon hapësira të sigurta dhe mbështetëse për gratë dhe burrat që bartin mbi vete peshën e të ardhmes së lirë të vendit.

Mbrëmja përfundoi me një iftar të përgatitur nga gratë e qendrës, me gatime tradicionale dhe biseda të ngrohta për ndërtimin e një të ardhmeje më të drejtë.

Jahjaga theksoi se mbështetja për organizata të tilla është thelbësore për avancimin e kauzës së të mbijetuarve dhe për ndërtimin e një shoqërie më të drejtë dhe në paqe./DrenicaOnline/

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë