Mërgim Lushtaku: Zgjedhjet nuk janë zgjidhje, por arratisje nga përgjegjësia
Deputeti i PDK-së, Mërgim Lushtaku, ka reaguar lidhur me zhvillimet politike në vend dhe mundësinë e mbajtjes së zgjedhjeve të reja.
Lushtaku ka thënë se zgjedhjet nuk janë zgjidhje për situatën politike, por, sipas tij, paraqesin arratisje nga përgjegjësia ndaj qytetarëve si pasojë e lakmisë për pushtet absolut nga një individ.
Ai ka theksuar se Partia Demokratike e Kosovës ka qenë bashkëpunuese dhe ka kontribuar për stabilitet politik në vend.
Sipas Lushtakut, përgjegjësia kryesore për situatën aktuale i takon partisë në pushtet, e cila, siç tha ai, ka 57 deputetë në Kuvend.
“Lakmia e Albin Kurtit për pushtet dhe qasja e tij autoritare jo vetëm që nënçmon votuesit e vet, por është shndërruar edhe në diçka qesharake dhe të çuditshme”, ka deklaruar Lushtaku.
Ai ka shtuar se në ditët në vijim pushteti mund të kërkojë interpretime nga Gjykata Kushtetuese për të fituar kohë, duke pretenduar se kjo bëhet për të siguruar vota.
Në fund, deputeti i PDK-së ka theksuar se Kosova nuk ka nevojë për pushtet absolut, por për balancë, kontroll dhe respekt për demokracinë.


