LDK reagon pas propozimit të Konjufcës për president: VV nuk po kërkon konsensus

Lidhja Demokratike e Kosovës ka reaguar pas propozimit të Lëvizjes Vetëvendosje që Glauk Konjufca të jetë kandidat për President të Republikës së Kosovës.

Përmes një komunikate për media, LDK ka theksuar se procesi i zgjedhjes së presidentit duhet të zhvillohet me seriozitet të plotë dhe përgjegjësi institucionale, në frymën e konsensusit që kërkon Kushtetuta e Kosovës.

Sipas kësaj partie, takimet e deritanishme ndërmjet subjekteve politike kanë qenë konsultative dhe me synim gjetjen e një kandidati konsensual për këtë pozitë të rëndësishme shtetërore.

“Konsensusi nuk është garë politike dhe nuk mund të ndërtohet si proces ku njëra palë propozon emra, ndërsa të tjerat ftohen vetëm për t’i mbështetur ata. Konsensusi nënkupton një proces të përbashkët diskutimi dhe dakordimi për një figurë që përfaqëson unitetin institucional të vendit dhe gëzon besimin e gjerë parlamentar”, thuhet në reagimin e LDK-së.

LDK vlerëson se qasja e Lëvizjes Vetëvendosje nuk reflekton një përpjekje serioze për ndërtimin e konsensusit dhe se procesi po trajtohet më shumë si garë politike sesa si përpjekje për të arritur dakordim.

Më tej, kjo parti thekson se mënyra se si është zhvilluar procesi nga ana e VV-së nuk krijon kushtet për zgjedhjen e presidentit dhe nuk dëshmon qëllim të mirëfilltë për të arritur një marrëveshje të gjerë politike.

Në fund, LDK shpreh keqardhje se për shkak të kësaj qasjeje, vendi rrezikon të kalojë afatet kushtetuese dhe të shkojë drejt zgjedhjeve të reja, në vend që të arrihet stabiliteti institucional që, sipas saj, qytetarët e Kosovës e presin dhe e meritojnë.

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë