Betim Gjoshi: VV propozoi kandidat partiak për president, edhe pse e di që nuk i ka votat

Zyrtari i PDK-së, Betim Gjoshi, ka reaguar pas propozimit të Lëvizjes Vetëvendosje për kandidatin për President të Kosovës.

Gjoshi ka thënë se në orët e fundit të afatit kushtetues, VV ka vendosur të propozojë kandidatin e saj partiak për president, pa pasur marrëveshje me partitë e tjera politike dhe duke e ditur se nuk i ka votat e nevojshme.

Sipas tij, kjo tregon se problemi nuk është zgjedhja e presidentit, por, siç tha ai, obsesioni për pushtet dhe dëshira për të kontrolluar çdo institucion të shtetit.

“Kjo tregon qartë se problemi nuk është zgjedhja e Presidentit. Problemi është obsesioni për pushtet dhe dëshira për të kontrolluar çdo institucion të shtetit, pa partnerë, pa marrëveshje dhe pa respekt për rregullat demokratike”, ka shkruar Gjoshi.

Ai ka shtuar se kur nuk mund ta kontrollojnë gjithçka, sipas tij, ata janë të gatshëm ta fusin vendin në krizë, madje edhe në zgjedhje të reja.

Gjoshi ka theksuar se PDK i ka dalë zot këtij procesi me dinjitet dhe ka ofruar alternativa për zgjedhjen e presidentit, ndërsa ka kritikuar kryeministrin Albin Kurti për mënyrën se si po trajtohet procesi.

“Të pritet përgjegjësi nga Albin Kurti, njeriu që prej më shumë se një viti po e mban peng qeverisjen e vendit, është më shumë se naivitet. Keq, shumë keq!”, ka përfunduar ai.

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë