KEK konfirmon aksidentin fatal në Termocentralin “Kosova B”, humb jetën një punonjës 55-vjeçar (Video)
Pas raportimit fillestar nga DrenicaOnline për një aksident fatal në Termocentralin “Kosova B”, lajmi është konfirmuar edhe nga Korporata Energjetike e Kosovës (KEK sh.a.).
Në njoftimin zyrtar thuhet se sot, në hapësirat e Termocentralit “Kosova B”, ka ndodhur një incident i rëndë ku janë përfshirë një kamion dhe një punonjës.
Si pasojë e incidentit, një punonjës mashkull kosovar, 55 vjeç, ka pësuar lëndime të rënda. Në vendin e ngjarjes kanë dalë menjëherë zyrtarët e KEK-ut, Policia e Kosovës dhe ekipet mjekësore, të cilat kanë konfirmuar se viktima ka ndërruar jetë.
KEK sh.a. ka shprehur ngushëllimet më të sinqerta për familjen e të ndjerit, kolegët dhe bashkëpunëtorët e tij, ndërsa autoritetet përkatëse janë duke trajtuar rastin në përputhje me procedurat ligjore.


