Enver Dugolli: Zgjedhjet janë të panevojshme, i kemi fituar me 51.10%

Deputeti i Lëvizja Vetëvendosje, Enver Dugolli, ka reaguar ndaj deklaratave të ish kryetarit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, i cili ka thënë se Albin Kurti po synon ta çojë vendin në zgjedhje të reja.

Sipas Dugollit, një konstatim i tillë është i gabuar dhe i pasaktë, transmeton DrenicaOnline.

“Ramush Haradinaj po thotë se Albin Kurti po do të na çojë në zgjedhje. Ky është një konstatim i gabuar dhe i pasaktë. Ne sapo i kemi përfunduar zgjedhjet dhe i kemi fituar bindshëm, me 51.10%. Cili do të ishte motivi për të shkuar sërish në zgjedhje?”, ka deklaruar ai.

Dugolli ka theksuar se nëse opozita vërtet beson se vendi rrezikon të shkojë në zgjedhje të reja, atëherë, sipas tij, kjo mund të shmanget përmes bashkëpunimit në Kuvend.

“Nëse kështu mendojnë edhe të tjerët nga opozita, e kanë vetë në dorë që kjo të mos ndodhë. Ne i kemi 66 vota, por nuk i kemi 80. Le t’i bashkojmë përpjekjet dhe t’i shmangim zgjedhjet, sepse përveçse janë të panevojshme, janë edhe të padobishme”, është shprehur Dugolli.

Deklaratat e tij vijnë në kohën e debatit politik mes pozitës dhe opozitës lidhur me zgjedhjen e presidentit të ri./DrenicaOnline/

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë