Atdhetari Hektor Beqiri për Murat Jasharin: Kosova ka nevojë për president që na bashkon
Atdhetari Hektor Beqiri ka reaguar me një mesazh publik, duke përmendur emrin e Murat Jasharit si figurë që, sipas tij, ngjall respekt dhe shpresë për të ardhmen e vendit.
Beqiri thekson se mbiemri Jashari nuk është thjesht një emër, por histori, sakrificë dhe amanet i lirisë së Kosovës. Ai kujton familjen legjendare të Adem Jasharit, duke e cilësuar si themel të shtetit të Kosovës.
“Sot më shumë se kurrë kemi nevojë për unitet, për dinjitet dhe për një figurë që mishëron sakrificën e së kaluarës dhe përgjegjësinë për të ardhmen”, është shprehur Beqiri.
Sipas tij, Kosova ka nevojë për një president që nuk e sheh postin si privilegj, por si përgjegjësi, një president që bashkon qytetarët dhe që shërben me ndershmëri, qoftë edhe për një mandat të vetëm.
Deklarata e Beqirit vjen në një kohë kur në vend po shtohen diskutimet për figurat që mund të marrin përgjegjësi të larta shtetërore në të ardhmen.

