PDK: Nesër do të kërkojmë votimin e rezolutës së ekspertëve të pavarur në mbrojtje të krerëve të UÇK-së dhe dinjitetit të luftës çlirimtare
Partia Demokratike e Kosovës, në seancën e parë të punës legjislaturës X të Kuvendit, që do të mbahet nesër do të kërkojmë që të votohet edhe rezoluta e përgatitur nga ekspertë të pavarur, në mbrojtje të krerëve të UÇK-së dhe të dinjitetit të luftës sonë çlirimtare, krahas marrëveshjeve ndërkombëtare.
Këtë lajm e kanë dhënë deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku dhe Përparim Gruda, në një konferencë për media para fillimit të seancës konstituive të Kuvendit.
Çitaku tha se çlirimtarët që po gjykohen në Hagë, duhet ta kenë një shtet që i mbronë me ligj, me institucione dhe me zë të qartë politik.
“Nesër, në seancën e parë të punës së këtij Kuvendi, do të kërkojmë që, krahas marrëveshjeve ndërkombëtare, të votohet edhe rezoluta e përgatitur nga ekspertë të pavarur, tashmë e deponuar në Kuvend, në mbrojtje të krerëve të UÇK-së dhe të dinjitetit të luftës sonë çlirimtare”, theksoi Çitaku.
Ajo u ka bërë thirrje të gjitha Grupeve Parlamentare ta mbështesin këtë rezolutë, ashtu siç vendosën dje me konsensus ta shtyjnë seancën e Kuvendit për në orën 17:00, në shenjë respekti për çlirimtarët, të cilët po përballen me fazën finale të procesit në Hagë.
“Shteti ynë është më i fortë kur qëndron i bashkuar në mbrojtje të historisë së vet.
Prandaj, qysh sot, ftoj të gjitha grupet parlamentare që nesër t’i japin mbështetje kësaj rezulote të profesionistëve të pavarur”, tha ajo.
Ndërsa, deputeti Përparim Gruda Përparim Gruda, e ka elaboruar këtë rezolutë dhe përmbajtjen e saj.
“Rezoluta në vend të parë kërkon nga Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar që procesin në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së ta kthejnë në binarë të standardeve evropiane për gjykim të drejtë dhe të paanshëm, dhe standardeve të përcaktuara me Kushtetutën e Kosovës, Konventën Evropiane të Drejtave të Njeriut, Deklaratën Universale të Drejtave të Njeriut dhe praktikën ose jurisprudencën e Gjykatës Evropiane për Liritë dhe Drejtat e Njeriut. E dyta, rezoluta po ashtu kërkon që Ombudspersoni ose Avokati i Popullit që ndodhet pranë Dhomave të Specializuara në Hagë, të luajë rolin e vet, të cilin mendojmë që e ka kaluar në heshtje deri tani, për të adresuar të gjitha shkeljet që kanë ndodhur gjatë procesit të gjykimit të krerëve të UÇK-së. Po ashtu pikë tjetër e kësaj rezolute, të cilën dua ta ndaj me ju, është kërkesa nga vendet financuese të Gjykatës Speciale që të sigurohen që financimi i tyre bëhet ndaj një organi që zbaton standardet evropiane për gjykim të drejtë. Pra të kërkojnë llogari nga Dhomat e Specializuara dhe të kërkojnë përgjegjësi që procesi të mbetet i drejtë dhe i pavarur, ashtu siç është procesi gjyqësor në çdo vend që është financues i Gjykatës Speciale”, tha ai.


