Komuna e Skenderajt del me njoftim pas tërmetit që dridhi vendin
Komuna e Skenderaj ka dalë me një njoftim zyrtar për qytetarët pas tërmetit që u ndje sonte në disa zona të Kosovës.
Sipas njoftimit, rreth orës 22:05, një tërmet me magnitudë 4.8 ka goditur juglindjen e vendit, konkretisht zonën Prizren–Shtërpcë, ndërsa lëkundjet janë ndier edhe në Skenderaj dhe zona të tjera përreth.
Deri në këto momente, sipas komunës, nuk ka raportime për persona të lënduar apo dëme materiale. Institucionet përkatëse po e monitorojnë situatën në vazhdimësi.
Komuna ka bërë thirrje që qytetarët të tregojnë kujdes në rast të lëkundjeve të tjera, duke rekomanduar që të qëndrojnë larg dritareve dhe objekteve që mund të bien, ndërsa brenda ambienteve të strehohen nën tavolina të forta ose pranë mureve mbajtëse.
Po ashtu, këshillohet që pas lëkundjeve të dilet me kujdes në hapësira të hapura, të mos përdoren ashensorët dhe të shmangen lëvizjet e panevojshme. Qytetarët janë ftuar të kontrollojnë banesat e tyre dhe të ndihmojnë personat që mund të kenë nevojë.
Komuna apelon që informacionet të merren vetëm nga burime zyrtare, ndërsa çdo përditësim i ri do të publikohet përmes kanaleve zyrtare të komunikimit.
Për raste emergjente, qytetarët mund të kontaktojnë Policinë e Kosovës në 192, Zjarrfikësit në 193 dhe Ndihmën e Shpejtë në 194.


