Mërgim Lushtaku: Prokuroria në Hagë foli sikur në emër të Serbisë, jo të drejtësisë

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Mërgim Lushtaku, ka reaguar ashpër pas paraqitjes së sotme të Prokurorisë pranë Dhomave te Specializuara të Kosovës në Hagë, duke thënë se qasja e saj u përjetua nga shumë qytetarë si e njëanshme dhe në dëm të luftës çlirimtare.

Sipas Lushtakut, mënyra se si u paraqitën pretendimet dhe kërkesat për dënime, që sipas tij arrijnë deri në 180 vjet burg për ish-pjesëtarë të UÇK-së, u duk “sikur ishte në emër të Serbisë dhe të atyre që për vite me radhë janë përpjekur ta njollosin Kosovën”.

Ai theksoi se u la në hije konteksti i luftës në Kosovë, duke kujtuar se rezistenca e armatosur erdhi si pasojë e represionit të aparatit shtetëror serb dhe regjimit të Slobodan Milosheviçit. Sipas tij, shumë qytetarë u detyruan të mbronin familjet dhe shtëpitë e tyre, ndërsa një pjesë e madhe e popullsisë u përball me dëbime, dhunë dhe masakra.

“Gjendja u bë e papërballueshme edhe për faktorin ndërkombëtar, i cili ndërhyri për arsye humanitare”, theksoi ai, duke iu referuar ndërhyrjes së NATO-s në vitin 1999.

Lushtaku shtoi se shumë qytetarë besojnë që kjo prokurori “nuk foli në frymën e drejtësisë dhe të së vërtetës universale”, por se po zbatohet një qasje që, sipas tij, dëmton imazhin e Kosovës.

Në fund, ai bëri thirrje për mobilizim qytetar më 17 shkurt, në Ditën e Pavarësisë, duke e cilësuar këtë si një moment për të shprehur mbështetje për ish-luftëtarët e UÇK-së.

“Protesta ime dhe e popullit që ka vuajtur kaq shumë do të bashkohet me një zë edhe më të fuqishëm. Drejtësi për çlirimtarët,” ka deklaruar Lushtaku.

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë