Petrit Hajdari takon organizatat e dala nga UÇK-ja në Drenas, konfirmohet përkrahja për Marshin “DREJTËSI, JO POLITIKË”
Kryetari i PDK-së në Drenas, Petrit Hajdari ka zhvilluar sot një takim me përfaqësues të Organizatave të dala nga lufta e UÇK, dega në Drenas, ku u konfirmua përkrahja e plotë për marshin qytetar “DREJTËSI, JO POLITIKË”.
Sipas tij, ky takim përbën një dëshmi të qartë të qëndrimit të përbashkët në mbështetje të luftëtarëve të lirisë dhe kërkesës për drejtësi. Ai theksoi se lufta çlirimtare ishte e drejtë dhe se ata që po përballen me procese gjyqësore në Hagë meritojnë trajtim të drejtë dhe jo, siç u shpreh, qasje politike ndaj çështjes së tyre.
“Luftëtarët e lirisë nuk luftuan për interesa personale, por për atdhe, dinjitet dhe liri,” u shpreh Hajdari, duke falënderuar organizatat për gatishmërinë dhe angazhimin në përkrahje të marshit.
Marshi “DREJTËSI, JO POLITIKË” po prezantohet si një thirrje qytetare për të vërtetën, respektin dhe mbrojtjen e sakrificës së luftës çlirimtare. Organizatorët u kanë bërë thirrje qytetarëve që të marrin pjesë, duke theksuar se zëri i secilit ka peshë.




