Gjykata Speciale mban ligjërata me nxënësit e shkollave të mesme, njëri ua shkruan “Free Hashim Thaçi”
Dhomat e Specializuara të Hagës kanë nisur një seri të ligjërata e komunikimeve. Pas mediave, shoqërisë civile e fakulteteve juridike, tash në subjekt janë nxënësit e shkollave të mesme.
Një të tillë Gjykata Speciale e ka mbajtur së fundmi me nxënësit e shkollës “Xhevdet Doda” në Prishtinë.
Kjo dëshmohet nga një fotografi të cilën e ka pranuar gazeta Nacionale, nga një prej nxënësve pjesëmarrës.
Aty, prej nxënësve kërkohet vlerësimi i ligjëratës.Pyetjet janë të tipit nëse ngjarja ishte e organizuar mirë, nëse kishte mjaftueshëm informata për Gjykatën Speciale, nëse informacionet kanë qenë të kuptueshme dhe pyetje të ngjashme.
Në një prej këtyre vlerësimeve, nxënësit kanë shprehur pakënaqësi lidhur me përgjigjet që kanë marrë ky trajnim.
Në fund, tek komentet njëri prej nxënësve ka kërkuar lirimin e Hashim Thaçit.
Nacionale ka kontaktuar me drejtorin e shkollës Xhevdet Doda, Isak Bregaj. Megjithatë, ai ka thënë se ligjërata ka qenë nga një organizatë për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, e ku në mesin e shumë temave për Gjykatat, kanë folur edhe për Gjykatën Speciale.
“Ka qenë ligjërata kështu për krejt Gjykatat, e është përmendur edhe Gjykata Speciale”, tha Bregaj.
Megjithatë, dokumenti të cilin e ka siguruar Nacionale është me logo e të gjitha të dhënat nga Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë. Bazuar në dokument, del se aty është kontakti i Njësisë së Komunikimit në Gjykatën Speciale.
Nacionale ka kontaktuar edhe me drejtorin e Arsimit në Prishtinë, Samir Shahini, por ai nuk e ka hapur telefonin.
Nuk dihet se kush i ka mbajtur këto ligjërata, e as çfarë është folur në to.
Nacionale ka dërguar pyetje edhe në adresën e Gjykatës Speciale, dhe po pret përgjigje.
Dhomat e Specializuara të Kosovës një pjesë të buxhetit, ndër vite, e kanë shpenzuar në kampanja të cilat i kanë quajtur informuese. Përfshirë me gazetarë, shoqëri civile, juristë e fakultete juridike.


