Aksident me fatalitet në rrugën Komoran–Carralevë, vdes një person
Një aksident i rëndë trafiku me pasojë vdekjen e një personi ka ndodhur mbrëmjen e sotme në rrugën Komoran–Carralevë. Sipas Policisë së Kosovës, rreth orës 19:30 është raportuar një përplasje mes dy automjeteve, transmeton portali DrenicaOnline.
Si pasojë e aksidentit, pesë persona kanë pësuar lëndime trupore. Njëri prej tyre, një mashkull, nuk ka mundur t’u mbijetojë plagëve dhe vdekja e tij është konstatuar nga ekipi mjekësor në Shtëpinë e Shëndetit në Komoran.
Të lënduarit e tjerë janë dërguar për trajtim mjekësor në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).
Rastin e ka konfirmuar për DrenicaOnline zëdhënësja e Policisë për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti, e cila ka bërë të ditur se njësiti rajonal i trafikut është duke u marrë me hetimin e rastit, ndërsa shkaqet e aksidentit mbeten ende nën hetim.

