Demaku për Thaçin: Edhe mohuesit më naivë e dinë rolin jetik të tij në dekadat e fundit
Fadil Demaku nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), duke iu referuar debateve për ish-presidentin Hashim Thaçi që janë nisur nga Besian Mustafa i LDK-së se gabimi më i madh i kësaj partie ishte votimi i tij për president, ka thënë se edhe “mohuesit më naivë” e dinë rolin jetik të Thaçit në dekadat e fundit.
Demaku ka shkruar në “Facebook” se ekziston mendësi e mbrapsht në skenën politike dhe publike të Kosovës.
“Oportunistët le të jetojnë çdo ditë të mbushur me urrejtje; kush e di, ndoshta ashtu gjejnë qetësi. Për këtë ekziston edhe falja”, ka shkruar Demaku.
Postimi i plotë:
Nëse bëjmë një paralele me të sotmen, në vitet ’90 çdo alternativë që synonte ta ndryshonte status quo-në linçohej, kundërshtohej dhe konsiderohej si diçka e armikut. Megjithatë, vendosmëria e Hashim Thaçit dhe e shumë të tjerëve për të guxuar dhe për të besuar bëri që gjërat të lëvizin përpara, për të rezultuar me lirinë dhe pavarësinë.
Ajo mendësi e mbrapshtë dhe kundërshtuese, për fat të keq, ekziston edhe sot te një pjesë e shoqërisë, e transformuar në rrethana dhe kohë të reja, si trashëgimi e një mentaliteti që mban qëndrim mohues ndaj vlerave kombëtare, qoftë për shkak të inferioritetit, qoftë për shkak të bindjeve të tyre.
Të gjithë, pa përjashtim, madje edhe mohuesit naivë, e dinë shumë mirë rolin historik që Hashim Thaçi ka pasur në dekadat e fundit. Por ata nuk duan as sy për të parë, as mendje për të gjykuar. Për çka do t’i bindim ne?
Oportunistët le të jetojnë çdo ditë të mbushur me urrejtje; kush e di, ndoshta ashtu gjejnë qetësi. Për këtë ekziston edhe falja.


