“Ia dolëm”/ Petrit Hajdari falënderon qytetarët pas rezultatit në Drenas
Kryetari i degës së PDK-së në Drenas, Petrit Hajdari, ka falënderuar qytetarët dhe strukturat e partisë pas procesit të votimeve, duke e cilësuar ditën e sotme si një sfidë të përballuar me sukses falë mobilizimit dhe përkushtimit të aktivistëve.
Në reagimin e tij, Hajdari theksoi se, përkundër rrethanave të vështira dhe zërave sabotues, qytetarët e Drenasit treguan vendosmëri dhe besim ndaj projektit politik të PDK-së.
“Ndonëse në një ditë sfiduese e në rrethana që i imponoi pushteti, falë organizimit të jashtëzakonshëm të degës, kandidatëve tanë për deputetë dhe aktivistëve të PDK-së, sot e treguam veten fuqishëm dhe me vepra,” u shpreh ai.
Hajdari falënderoi nga zemra të gjithë qytetarët që, sipas tij, nuk u lëkundën për asnjë moment dhe nderuan vizionin e PDK-së për një Kosovë që ecën “bashkë dhe përpara”.
“PDK në Drenas shprehet krenare, me rezultat të jashtëzakonshëm, me kandidatë të jashtëzakonshëm e me një mobilizim përbashkues. Ia kemi dalë, përkundër të gjitha pengesave. E kemi mbajtur PDK-në forcë serioze në vend e të pazëvendësueshme në prosperitet,” ka shtuar më tej.
Në fund, ai adresoi falënderimin për aktivistët dhe kandidatë për deputetë për, siç tha, “shpirtin që i dhanë kësaj fushate dinjitoze”.
“Ju falemnderit nga zemra qytetarëve, aktivistëve e kandidatëve. I juaji, Petrit E. Hajdari.”


