Ushtarët e FSK-së futen në pishinën e Banjës së Malishevës, temperaturat e ulëta nuk i ndalin “luanët” për ta kryer ushtrimin

Pavarësisht temperaturave të ulëta, pjesëtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) kanë përfunduar me sukses trajnimin elitë “Simboli i Ujkut”, një nga trajnimet më kërkuese dhe selektive në aspektin fizik, profesional dhe mental, tranemton portali DrenicaOnline.

Trajnimi ka zgjatur tre javë intensive, gjatë të cilave ushtarët janë përballur me sfida të vazhdueshme, duke testuar qëndrueshmërinë, disiplinën dhe aftësitë e tyre operative. Në kuadër të këtij programi, pjesëtarët e FSK-së kanë realizuar ushtrime në kushte të vështira, përfshirë edhe futjen në bazeni­n e Banjës së Malishevës, duke dëshmuar gatishmëri të lartë për përballimin e situatave ekstreme.

Ushtrimi final i trajnimit ka zgjatur 72 orë pa ndërprerje, gjatë të cilit kursantët kanë kryer patrullime mbi 70 kilometra me pajisje të plota ushtarake. Në fazën përmbyllëse, ata kanë ekzekutuar me sukses misionin e caktuar, përfshirë edhe sulmin taktik, duke treguar profesionalizëm të lartë, vendosmëri dhe bashkëpunim të shkëlqyer ekipor.

Përfundimi me sukses i trajnimit “Simboli i Ujkut” konfirmon nivelin e lartë të përgatitjes dhe gatishmërisë së pjesëtarëve të FSK-së, si dhe angazhimin e vazhdueshëm të kësaj force për ngritjen e kapaciteteve operative dhe profesionale në shërbim të sigurisë së vendit./DrenicaOnline/

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë