Nisin punimet për ndërtimin e rrethrrotullimit në Zabel të Ulët të Drenasit, zonë me rrezik të lartë aksidentesh

Kanë nisur punimet për ndërtimin e një rrethrrotullimi në Zabel të Ulët të Drenasit, në një nga pikat më problematike për sigurinë në trafik, ku ndër vite kanë ndodhur shumë aksidente rrugore, transmeton portali DrenicaOnline.

Sipas informacioneve, rruga e vjetër nga kyçja e Komoranit dhe rruga e re Komoran–Drenas do të lidhen përmes një rrethi, me qëllim largimin e rrezikut nga aksidentet dhe rritjen e sigurisë për të gjithë pjesëmarrësit në komunikacion.

Banorët dhe sidomos drejtuesit e mjeteve që nuk e njohin mirë këtë zonë, shpesh kanë pasur vështirësi në qarkullim, për shkak të konfigurimit të rrugëve dhe mungesës së një zgjidhjeje të qartë trafiku. Ndërtimi i rrethrrotullimit pritet të lehtësojë qarkullimin, të zvogëlojë shpejtësinë e mjeteve dhe të rrisë sigurinë në këtë segment të rëndësishëm rrugor.

Rrethi i ri do të ketë ndikim pozitiv edhe në magjistralen Komoran–Drenas, duke e bërë lëvizjen më të sigurt dhe më funksionale për qytetarët dhe tranzitin ditor në këtë zonë./DrenicaOnline/

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë