Ferat Shala: Skema e emërimeve në Iber Lepenc dëshmi e kapjes së institucioneve nga struktura paralele

Kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) për deputet, Ferat Shala, ka reaguar ashpër lidhur me, siç e ka quajtur ai, skemën e emërimeve në ndërmarrjen Iber Lepenc, duke e cilësuar atë si një tjetër dëshmi të kontrollit të institucioneve shtetërore nga qeveria aktuale dhe kryeministri.

Sipas Shalës, institucionet dhe politikat e shtetit po menaxhohen përmes strukturave paralele, të cilat, sipas tij, nuk kanë asnjë pozicion politik shtetëror, por ushtrojnë ndikim të drejtpërdrejtë në vendimmarrje.

“Kjo është dëshmuar më herët me rastin e Rezervave Shtetërore, ku një person privat drejton të gjithë procesin – nga blerja, përzgjedhja e kompanive, çmimet, ruajtja dhe çdo hallkë tjetër”, ka deklaruar Shala.

Ai ka shtuar se situata e njëjtë, sipas tij, është e pranishme edhe në sektorin e energjisë, ku vendimet për furnizimin me energji elektrike, shitblerjen dhe menaxhimin, diktohen nga struktura partiake dhe jo nga institucionet përgjegjëse.

“Tashmë është zbuluar se jo vetëm energjia, por edhe institucionet e tjera janë vënë në duart e strukturave jashtëinstitucionale”, ka theksuar Shala, duke akuzuar qeverinë për kapje të shtetit dhe cenim të funksionimit normal institucional.

Deklaratat e Shalës vijnë në kuadër të kritikave të vazhdueshme të PDK-së ndaj qeverisjes aktuale dhe menaxhimit të institucioneve publike në vend.

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë