IHDNj falënderon Sindikatën e Minatorëve për mbështetjen në peticionin për sëmundjet profesionale

Instituti për Hulumtime dhe të Drejtat e Njeriut (IHDNj) ka shprehur mirënjohje të veçantë për Sindikatën e Minatorëve të Trepçës dhe anëtarët e saj, për përkrahjen, solidaritetin dhe angazhimin e vazhdueshëm gjatë procesit të mbledhjes së nënshkrimeve për peticionin për Listën Zyrtare të Sëmundjeve Profesionale për Minatorët e Kosovës.

Sipas IHDNj-së, kontributi i drejtpërdrejtë i anëtarëve të sindikatës, gatishmëria për bashkëpunim dhe përfshirja aktive në këtë nismë kanë qenë thelbësore për forcimin e zërit të minatorëve dhe avancimin e kërkesave të tyre legjitime. Instituti thekson se kjo mbështetje dëshmon nevojën e madhe dhe urgjente për trajtimin e çështjes së sëmundjeve profesionale, si një domosdoshmëri reale për shëndetin, jetën dhe dinjitetin e minatorëve.

Po ashtu, falënderime të veçanta janë shprehur edhe për Sindikatën e Minatorëve në Kishnicë, e cila ka treguar gatishmëri për ta mbështetur nismën duke nënshkruar peticionin edhe në formë online, duke dëshmuar solidaritet dhe përkushtim për kauzën e përbashkët.

IHDNj ka bërë të ditur se ky projekt financohet nga Agjencia Suedeze për Bashkëpunim Ndërkombëtar për Zhvillim (SIDA) dhe Ambasada e Suedisë në Prishtinë, ndërsa zbatohet nga Community Development Fund (CDF) në kuadër të projektit HumanRightivism. Aktivitetet e institutit synojnë forcimin e të drejtave të minatorëve përmes dokumentimit të sëmundjeve profesionale dhe adresimit të shkeljeve të vazhdueshme të të drejtave të tyre.

Sipas IHDNj-së, për shumë minatorë sëmundjet profesionale nuk janë thjesht statistika, por realitete të përditshme që ndikojnë drejtpërdrejt në jetën, mirëqenien dhe familjet e tyre, ndaj kjo çështje duhet të marrë vëmendjen dhe prioritetin e duhur.

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë