Drenica me kardiokirurgun e saj të parë: Qendrim Pirraku diplomon si kardiokirurg me rezultat maksimal
Qendrim Pirraku, Kardiokirurgu i parë nga Drenica, diplomon me notë maksimale në moshën 33-vjeçare
Drenica shënon edhe një sukses të madh në fushën e shëndetësisë. Qendrim Pirraku, në moshën vetëm 33-vjeçare, ka arritur të marrë titullin Specialist i Kardiokirurgjisë, duke u bërë kardiokirurgu i parë nga kjo trevë, si dhe një nga specialistët më të dalluar në këtë fushë në Kosovë.
Ai ka diplomuar me notë maksimale, duke u vlerësuar si një nga studentët dhe specialistët më të shkëlqyer të brezit të tij. Me përkushtim të madh, punë të palodhshme dhe rezultate të larta, Pirraku arrin sukses në një nga profesionet më të ndërlikuara dhe delikate të mjekësisë – kirurgjinë e zemrës, një fushë që kërkon dije të thellë, saktësi dhe përgjegjësi të jashtëzakonshme.
Qendrim Pirraku vjen nga një familje me traditë dhe vlera të larta, në të cilën suksesi në shërbim të shëndetit është bërë krenari familjare. Vëllai i tij, Dr. Fitim Pirraku, është një stomatolog i njohur, duke dëshmuar se profesionalizmi dhe aftësia për të shërbyer me dinjitet komunitetit janë vlerat që e karakterizojnë këtë familje.
Suksesi i Dr. Qendrim Pirrakut është shembull motivues për të rinjtë e Drenicës dhe më gjerë, duke dëshmuar se me punë, disiplinë dhe vizion, mund të arrihet majat e profesionit, kudo qoftë.




