Abelard Tahiri heq dorë nga top-10 i listës së PDK-së

Abelard Tahiri ka njoftuar sot se i ka kërkuar Kryetarit të PDK-së, Bedri Hamza, që të mos e përfshijë në dhjetëshen e parë të listës garuese për deputet në zgjedhjet e 28 dhjetorit, teansmeton portali DrenicaOnline.

Në një reagim publik, Tahiri tha se ky vendim vjen si rezultat i reflektimit dhe bindjes së thellë se çdo politikan duhet t’i hapë rrugë gjeneratës së re. Ai kujtoi se gjatë karrierës së tij politike ka mbajtur pozita të rëndësishme, përfshirë 9 vite si këshilltar i Presidentit Hashim Thaçi, gati 3 vite Ministër i Drejtësisë dhe 5 vite si Kryetar i Grupit Parlamentar të PDK-së.

“Të gjithë duhet të reflektojmë. Numrat nuk trashëgohen dhe nuk i kemi me tapi. Ne që kemi përvojë duhet t’i ndihmojmë kolegët tanë të rinj që të jenë pjesë e parlamentit të ardhshëm,” ka deklaruar ai.

Tahiri konfirmoi se do të jetë pjesë e listës së PDK-së, por jo në dhjetëshen e parë, siç kishte qenë në zgjedhjet e kaluara.

Në fund, ai uroi sukses Kryetarit të PDK-së, duke deklaruar: “Na priftë e mbara me Kryeministrin e ardhshëm të Kosovës, Bedri Hamzën!”

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë