Rrënohet një pjesë e restorantit “Peshkopia” në Drenas (Video)

Komuna e Drenasit ka ndërmarrë sot në mëngjes një aksion për lirimin e pronës komunale, duke rrënuar një pjesë të objektit të restorantit “Peshkopia”. Sipas autoriteteve komunale, hapësira ishte shfrytëzuar prej vitesh në mënyrë të paligjshme nga subjekti ekonomik.

Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka reaguar menjëherë pas ekzekutimit të vendimit, duke theksuar se zbatimi i ligjit dhe barazia para ligjit mbeten parimet e tij të panegociueshme.

“Prona e uzurpuar nga ky subjekt ekonomik, edhe pse pas shumë vonesave, pasi Gjykata e tha fjalën e saj, është duke u liruar. Ndërsa lidhur me vonesat në realizimin e projektit dhe dëmet financiare që i janë shkaktuar Komunës së Drenasit, do të zhvillojmë procedura tjera ligjore,” ka deklaruar Lladrovci.

Ai ka theksuar se lirimi i pronës komunale ishte detyrim ligjor dhe i domosdoshëm për mbrojtjen e interesit publik, duke paralajmëruar hapa të tjerë institucionalë për përgjegjësitë financiare që, sipas komunës, janë shkaktuar nga uzurpimi shumëvjeçar.

Reagimi i restorantit “Peshkopia”

Ndërkohë, një ditë më parë, restoranti “Peshkopia” kishte njoftuar klientët për mbylljen e përkohshme të lokalit, duke e lidhur atë me punimet e komunës për lirimin e hapësirës publike.

“Të dashur klientë, Restaurant ‘Peshkopia’ do të jetë i mbyllur për disa ditë për shkak të punimeve të Komunës për lirimin e hapësirës publike. Po bëjmë maksimumin që të rikthehemi sa më shpejt, me shërbimin dhe ushqimin që ju e meritoni. Ju falënderojmë për mirëkuptimin,” thuhej në njoftimin e publikuar nga restoranti.

Aksioni i sotëm vjen si pjesë e angazhimit të Komunës së Drenasit për të siguruar menaxhim të drejtë të pronës publike dhe për të zbatuar vendimet gjyqësore, të cilat, sipas komunës, kishin mbetur të pazbatueshme për një kohë të gjatë.

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë