Veprimtari i PDK-së në Gjermani, Shqiptar Gubetini: Është koha për unitet, Fatmir Limaj duhet të jetë pjesë e listës së PDK-së

Kryetari i PDK-së në Regensburg, Shqiptar Gubetini, ka bërë një thirrje të fortë për unitet brenda Partisë Demokratike të Kosovës, duke kërkuar afrimin e Fatmir Limajt në listën e PDK-së në këtë moment kritik për vendin dhe për UÇK-në.

Gubetini ka theksuar se situata aktuale politike dhe gjyqësore që po kalon Kosova, me liderët e luftës dhe të PDK-së në Hagë, kërkon maturi, vizion dhe bashkim kombëtar. Ai tha se mesazhet e dhëna nga gjenerali amerikan Wesley Clark për drejtësinë e luftës së UÇK-së duhet të jenë udhërrëfyese edhe për spektrin politik në vend.

Sipas tij, PDK-ja ka nevojë për forcim të brendshëm dhe për bashkimin e figurave kyçe të luftës.

Gubetini e quajti hyrjen e Fatmir Limajt në listën e PDK-së “një forcim historik”, duke theksuar se Limaj mbetet një ndër figurat më të rëndësishme të luftës dhe një zë i fuqishëm për drejtësinë dhe të vërtetën.

Ai shtoi se PDK është shtëpia politike e luftës, ndërsa UÇK është themeli i lirisë së vendit, prandaj bashkimi i njerëzve që kanë dhënë gjithçka për Kosovën është detyrë, jo opsion.

Në fund, Gubetini u bëri thirrje strukturave të PDK-së që të mos krijojnë ndarje të brendshme, por të forcojnë radhët dhe të bashkojnë personalitete të rëndësishme të luftës dhe politikës.

“Sot Kosova ka nevojë për lidership, maturi dhe unitet. Thirrja ime është e qartë: të bashkohemi, të forcojmë PDK-në dhe të afrojmë Fatmir Limajn në këtë betejë politike e kombëtare. Kosova është mbi të gjitha”, ka deklaruar ai.

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë