“Nuk e votova Dimal Bashën”/ Kosovare Murseli rikandidon në listën e PDK-së për deputete

Kosovare Murseli, ish-deputete e legjislaturës së kaluar dhe një prej emrave të respektuar brenda Partisë Demokratike të Kosovës, ka bërë të ditur publikisht se nuk e ka votuar Dimal Bashën për Kryetar të Kuvendit të Kosovës. Ajo do të jetë sërish pjesë e garës për deputete në listën e PDK-së në zgjedhjet e 28 dhjetorit, transmeton portali DrenicaOnline.

Zgjedhja e Bashës në krye të legjislativit u mundësua nga votat vendimtare të PDK-së, megjithatë brenda grupit pati qëndrime të ndryshme.

Në një reagim të qartë dhe të prerë, Murseli ka shpjeguar arsyet e votës së saj kundër, duke theksuar se për të, posti i Kryetarit të Kuvendit kërkon maturi, përgjegjësi dhe respekt të plotë ndaj historisë së vendit.

“Unë nuk e kam votuar Dimal Bashën sepse nuk mund t’i jap votën time një njeriu që me fjalët dhe veprimet e tij ka treguar mungesë maturie, mungesë respekti dhe mungesë merite për një post kaq të lartë të shtetit”, ka deklaruar ajo.

Murseli ka kujtuar se Basha në të kaluarën ka nënçmuar krerët e luftës së UÇK-së, duke theksuar se “një njeri që nuk respekton historinë e Kosovës dhe sakrificën e luftës çlirimtare, nuk mund të jetë prijës i Kuvendit të Republikës”.

Ajo ka theksuar se vota e saj është votë parimi, duke nënvizuar se përfaqësuesit e shtetit duhet të mishërojnë dinjitetin dhe vlerat e popullit.

“Votoj për profesionalizëm, për atdhedashuri, për dinjitet, për njerëz që e duan këtë vend dhe e respektojnë historinë e tij. Kuvendi është tempulli i demokracisë, jo vend për përçarje e fyerje”, ka shtuar Murseli.

Me rikandidimin e saj në listën e PDK-së, Kosovare Murseli pritet të jetë sërish një zë i rëndësishëm në skenën politike, duke sjellë qëndrime të qarta dhe të argumentuara mbi zhvillimet kyçe të vendit./DrenicaOnline/

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë