Gani Koci: Fatmir Limajt duhet t’i hapen portat e PDK-së – Partia është shtëpia e tij politike

Zyrtari i Partisë Demokratike të Kosovës, Gani Koci, ka bërë një deklaratë të fortë publike duke kërkuar që PDK t’i hapë dyert për rikthimin e Fatmir Limajt, të cilin e konsideron pjesë të natyrshme të kësaj partie.

Koci ka thënë se Limaj ka qenë dhe duhet të mbetet brenda shtëpisë politike që, sipas tij, i takon, duke theksuar se “ashtu siç i duhet ai partisë, edhe partia i duhet atij”. Ai u ka bërë thirrje strukturave të PDK-së, e në veçanti kryetarit Bedri Hamza, që të veprojnë në këtë drejtim.

Në reagimin e tij, Koci nuk ka kursyer as kritikat për ata që kundërshtojnë këtë ide, duke thënë se “pëshpëritjet i merr era” dhe se ai ka folur hapur për të shprehur bindjen e tij personale.

“E di se do të shahem mjaftueshëm, por siç thonë: ‘Unë fola e pastrova shpirtin tim’. E pse më shajnë ata që nuk mendojnë më larg se hunda e vet, nuk e kam dert”, ka shkruar ai.

Deklarata e Gani Kocit ka ndezur debat të ri brenda opinionit politik rreth mundësisë së afrimit të ish-ministrit dhe komandantit të njohur të UÇK-së, Fatmir Limaj, me PDK-në, veçanërisht në një periudhë kur çështjet e unitetit brendapartiak po marrin vëmendje të shtuar.

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë