Dardan Krasniqi, i bashkohet AAK-së: Ramush Haradinaj e pret në ekipin e tij

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka njoftuar sot se Eksperti i Sigurisë dhe juristi Dardan Krasniqi i është bashkuar Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, duke e vlerësuar këtë si një përforcim të rëndësishëm për ekipin e tij dhe për vizionin e partisë.

Haradinaj ka theksuar se Dardani sjell me vete përvojë të gjerë profesionale dhe një angazhim të gjatë në çështjet e sigurisë dhe të shtetndërtimit. Ai është njohur si luftëtar dhe pjesëmarrës në tre luftëra çlirimtare, në UÇK, UÇPMB dhe Ushtrinë Çlirimtare Kombëtare , ku ishte dalluar për guximin dhe aftësinë organizative.

Dardan Krasniqi ka një karrierë 25-vjeçare në politikë, siguri dhe shërbim publik. Ai ka qenë polici dhe drejtuesi i parë i Policisë së Kosovës në Malishevë, duke luajtur rol të rëndësishëm në strukturimin dhe funksionalizimin e rendit në atë komunë.

Ai vjen nga një familje me traditë patriotike: nëna mësuese dhe babai kolonel i TMK-së, një prej themeluesve të celulave të para të UÇK-së.

Në të gjitha angazhimet e tij, si luftëtar, pastaj si pjesë e strukturave të policisë, e më vonë si aktivist dhe anëtar i Këshillit të Përgjithshëm në Lëvizjen Vetëvendosje, Krasniqi është udhëhequr nga dy qëllime kryesore: çështja kombëtare, politika e sigurisë si themel për një shtet dhe shoqëri të fortë.

Haradinaj ka theksuar se angazhimi i Krasniqit është një motiv shtesë që shumë patriotë, ekspertë dhe qytetarë të përgjegjshëm po i bashkohen AAK-së.

“Rruga e AAK-së është rruga e Kosovës për të ecur përpara”, ka deklaruar ai, duke e konsideruar Dardan Krasniqin një shtyllë të rëndësishme në këtë vizion.

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë