Një nga rrugët e Nju Jorkut merr emrin “Isa Boletini”
Të dielën është përuruar emërtimi i njërës prej rrugëve të Nju Jorkut me emrin e heroit tonë, Isa Boletini.
Kryetari i Komunës së Mitrovicës, Faton Peci, i cili ishte i pranishëm në këtë përurim, përmes një postimi në rrjetin social Facebook ka thënë se ky moment shënon jo vetëm respektin ndaj një simboli të pathyeshëm të lirisë, por edhe lidhjen e fortë dhe të qëndrueshme ndërmjet popullit shqiptar dhe ShBA-së.
“Me ftesë të Kongresit Amerikan, pata nderin e veçantë që sot në Nju Jork të jem pjesë e përurimit të rrugës që tani e tutje mban emrin e heroit tonë kombëtar, Isa Boletini, një prej figurave më të mëdha të historisë së Shqipërisë dhe Kosovës. Ky moment shënon jo vetëm respektin ndaj një simboli të pathyeshëm të lirisë, por edhe lidhjen e fortë dhe të qëndrueshme ndërmjet popullit shqiptar dhe Shteteve të Bashkuara. ‘Isa Boletini’ në Nju Jork është një mesazh i fuqishëm për brezat e rinj se liria dhe dinjiteti janë vlera që duhet mbrojtur çdo ditë”, ka shkruar Peci.

