Musliu-Shoshi i drejtohet Konjufcës: “Mos e shisni dështimin si patriotizëm, po e mbani shtetin peng për pushtet”
Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ariana Musliu-Shoshi, ka reaguar ashpër ndaj kryetarit të Kuvendit, Glauk Konjufca, duke e akuzuar qeverinë për dështime të njëpasnjëshme dhe për, siç tha ajo, “mbajtje të shtetit peng për pushtet”.
Në reagimin e saj, Musliu-Shoshi theksoi se Qeveria Kurti po tenton ta paraqesë dështimin si patriotizëm, ndërsa realiteti, sipas saj, është krejt tjetër.
“Glauk, mos na e shisni për patriotizëm dështimin! Ju po e mbani shtetin peng për pushtet. Shteti nuk mbahet me justifikime as me viktimizim. Populli nuk ha propagandë, por kërkon punë, rezultate dhe përgjegjësi”, ka deklaruar deputetja e PDK-së.
Ajo shtoi se fajësimi i opozitës nuk i mbron vendimmarrësit nga përgjegjësia për situatën aktuale në vend.
“Mjaft me fajësime, Glauk. Kosovën nuk e dëmton opozita, por paaftësia e qeverisë që po e fundos vendin çdo ditë. Populli nuk mashtrohet më. Keni dështuar dhe sovrani nuk ju fal,” u shpreh Musliu-Shoshi.
Reagimi i saj vjen në prag të debatit politik për zhvillimet e fundit vendore dhe përgatitjet për zgjedhjet nacionale të 28 dhjetorit.


