Bedri Hamza prezanton profesorin universitar Gëzim Qerimi si kandidat për deputet të PDK-së
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, ka mirëpritur në ekip profesorin universitar Dr. Gëzim Qerimi, të cilin e vlerësoi për përvojën profesionale dhe angazhimin në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes.
“Në ekipin tonë e mirëpritëm Dr. Gëzim Qerimin, profesor i asociuar në Universitetin e Prishtinës. Ai ka mbi 17 vjet përvojë në mësimdhënie universitare dhe 13 vjet angazhim në institucionet e sigurisë dhe mbrojtjes”, ka deklaruar Hamza.
Kreu i PDK-së ka theksuar edhe kontributin akademik dhe publik të profesorit Qerimi.
“Përveç përvojës profesionale, profesori Gëzim Qerimi është autor i shumë punimeve shkencore në revista ndërkombëtare dhe më herët ka qenë edhe lider studentor.”
Lideri i PDK-së ka prezantuar deri tani një numër të konsiderueshëm prurjesh të reja, të cilat do të jenë pjesë e listës së PDK-së për zgjedhjet e 28 dhjetorit.

